Video


Biografia e Ministrit
ministri-Bedri Hamza

Bedri Hamza

Ministër i Financave

 

 

 

 

 

 

Bedri Hamza, u emërua Ministër i Financave i Republikës së Kosovës më 22 shkurt 2011. Në funksionin e tij si ministër bën hartimin e politikave financiare dhe çështjeve buxhetore në Kosovë.

Para se të emërohej ministër i Financave, për tri vite z. Hamza ishte zëvendësministër i Ekonomisë dhe Financave.

Bedri Hamza gjithashtu ka një karrierë të shquar politike. Funksione tjera të cilat i ka ushtruar  para marrjes së mandatit qeveritar nga Partia Demokratike e Kosovës në vitin 2008 janë: nënkryetar i PDK-së – dega e Mitrovicës; shef i Departamentit për Ekonomi dhe Financa për Qeverisjen e Mirë në Partinë Demokratike të Kosovës, si dhe përgjegjës për përcjelljen e punës së qeverisë së atëhershme. Përgjatë kësaj kohe ka ofruar alternativa të ndryshme për zgjidhjen e problemeve ekonomike në vend.

Në periudhën 1987 - 1990, z. Hamza ka punuar në KXMK “Trepça” në Mitrovicë, ku ka ushtruar postin e  udhëheqësit  të Kontabilitetit dhe Financave në Metalurgjinë e Plumbit.

Gjatë viteve 1990 – 1998  ka punuar në biznesin privat.

Prej vitit 2000 deri në vitin 2003, ka qenë drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Kuvendin Komunal të Mitrovicës.

Bedri Hamza  diplomoi në vitin 1987 në Fakultetin Ekonomik, kurse studimet pasdiplomike të gradës akademike Master i ka përfunduar me temën  ”Problemet e përsosjes së sistemit fiskal në Republikën e Kosovës”. Aktualisht është duke ndjekur studimet e doktoratës në Universitetin e Tiranës.

Ministri Bedri Hamza është i lindur më 08.11.1963 në Klinë të Epërme, komuna e Skenderajt.

Jeton në Mitrovicë  me bashkëshorten e tij znj. Remzie dhe kanë tre fëmijë: Doruntinën, Diellzën dhe Ensarin.