
| Biografia e Ministrit |
Bedri Hamza Ministër i Financave
Bedri Hamza, u emërua Ministër i Financave i Republikës së Kosovës më 22 shkurt 2011. Në funksionin e tij si ministër bën hartimin e politikave financiare dhe çështjeve buxhetore në Kosovë. Para se të emërohej ministër i Financave, për tri vite z. Hamza ishte zëvendësministër i Ekonomisë dhe Financave. Bedri Hamza gjithashtu ka një karrierë të shquar politike. Funksione tjera të cilat i ka ushtruar para marrjes së mandatit qeveritar nga Partia Demokratike e Kosovës në vitin 2008 janë: nënkryetar i PDK-së – dega e Mitrovicës; shef i Departamentit për Ekonomi dhe Financa për Qeverisjen e Mirë në Partinë Demokratike të Kosovës, si dhe përgjegjës për përcjelljen e punës së qeverisë së atëhershme. Përgjatë kësaj kohe ka ofruar alternativa të ndryshme për zgjidhjen e problemeve ekonomike në vend. Në periudhën 1987 - 1990, z. Hamza ka punuar në KXMK “Trepça” në Mitrovicë, ku ka ushtruar postin e udhëheqësit të Kontabilitetit dhe Financave në Metalurgjinë e Plumbit. Gjatë viteve 1990 – 1998 ka punuar në biznesin privat. Prej vitit 2000 deri në vitin 2003, ka qenë drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Kuvendin Komunal të Mitrovicës. Bedri Hamza diplomoi në vitin 1987 në Fakultetin Ekonomik, kurse studimet pasdiplomike të gradës akademike Master i ka përfunduar me temën ”Problemet e përsosjes së sistemit fiskal në Republikën e Kosovës”. Aktualisht është duke ndjekur studimet e doktoratës në Universitetin e Tiranës. Ministri Bedri Hamza është i lindur më 08.11.1963 në Klinë të Epërme, komuna e Skenderajt. Jeton në Mitrovicë me bashkëshorten e tij znj. Remzie dhe kanë tre fëmijë: Doruntinën, Diellzën dhe Ensarin.
|
| Formularët | |
| Shpallje dhe Konkurse | |