| Komunikatë për Media |
|
(Prishtinë – 12 gusht 2010) Nënshkruhet Marrëveshja për PPP për Operimin dhe Zgjerimin e ANP-së
Në Qeverinë e Republikës së Kosovës, sot u mbajt ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes për Partneritet Publiko Privat për Operimin dhe Zgjerimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, në mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe konsorcium ndërkombëtar “Limak Group dhe Aeroport de Lyon”. Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj dhe Anëtar i Bordit të Drejtorëve të konzorciumit “Limak- Aeroport de Lyon”, Sezai Bacaksiz. Në hapje të kësaj ceremonie Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj tha se “Jemi mbledhur këtu për të shënuar një hap shumë të rëndësishëm për Partneritetin e parë Publiko-Privat të Republikës së Kosovës. Është kjo hera e parë që Republika e Kosovës po nënshkruan një kontratë me një konsorcium ndërkombëtar, i cili më pas do të bëjë investime strategjike afatgjata në infrastrukturën publike të Kosovës. Jemi vërtetë të nderuar që sot do të lidhim një marrëveshje afatgjate me këtë konsorcium të përbërë nga kompani me renome ndërkombëtare, siç janë Limak Group dhe Aeroprt de Lyon”. Ai më tej shtoi se “Ky sukses sot, është rezultat i një pune të palodhshme të Komiteti Drejtues Ndërministror të Projektit së bashku me Njësinë Implementuese të këtij Projekti dhe këshilltarit të transaksionit. Gjithashtu me këtë rast dua të falënderoj në mënyrë të posaçme edhe USAID për përkrahjen e tyre të vazhdueshme që kanë dhënë nga fillimi i këtij projekti”.
Ndërsa Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala duke ju uruar mirëseardhje të gjithëve në këtë ngjarje shumë të rëndësishme, tha se “ Kjo është një ditë shumë e rëndësishme për Kosovën kur për herë të parë po nënshkruajë një kontratë të Partneritetit Publiko Privat. Si Ministër i Financave, jam jashtëzakonisht i gëzuar qe po ndërtojmë praktika të reja për tërheqjen e investimeve në infrastrukturën dhe shërbimet tona publike” . “Nuk është bërë as një vit i plotë që nga hyrja në fuqi e ligjit mbi PPP, e Qeveria e Kosovës sot po nënshkruan një kontratë bazuar në këtë ligj., duke realizuar një investim prej me shumë se 100 Milion Euro në infrastrukturën e transportit ajror. Ky është vetëm fillim i i projekteve të cilat do të implementohen përmes këtij modeli dhe do të përfshinë të gjithë sektorët ekonomik”, tha Ministri Shala. Anëtar i Bordit të Drejtorëve të konzorciumit “Limak- Aeroport de Lyon”, Sezai Bacaksiz, shpalosi synimin që numri i udhëtarëve nga 1.5 milion sa janë aktualisht, të rritet në 4 milionë në vit. “Ndihemi krenarë me nënshkrimin e kontratës së koncesionit me Qeverinë e Republikës së Kosovë që përfshinë zgjerimin dhe operimin 20 vjeçar. Kosova do të jetë dera jonë strategjike që do të hapet në Evropë. Synojmë që numri aktual të udhëtarëve prej 1.5 milionë të rrisim në 4 milionë. Uroj që projektit jetë i mbarë për Republikën e Kosovës, qytetarët e saj dhe gjithashtu edhe për ne”, tha z. Bacaksiz. Në fund të kësaj ceremonie nënshkruesit e kësaj marrëveshje shprehen përkushtimin e të dyja palëve për implementimin e kësaj kontrate me transparencë absolute, në pajtueshmëri të plotë me kriteret e përcaktuara në këtë kontratë.
|
| Formularët | |
| Shpallje dhe Konkurse | |