| Komunikatë për Media |
|
(Prishtinë – 21 korrik 2010) Bordi ekzekutiv i FMN-së miraton Marrëveshjen për mbështetje për Republikën e Kosovës në vlerë prej 108.9 milion euro Bordi ekzekutiv i Fondit monetar ndërkombëtar (FMN) ka miratuar sot Marrëveshjen për mbështetje (Stand- By Arranzhman) 18-mujorëshe për Republikën e Kosovës në një shumë të barasvlershme me SDR 92.656.000 (rreth 108.900.000 Euro, apo 139.600.000 dollar amerikan), ose 157 për qind të kuotës së saj në Fond. Pagesa fillestare e barasvlershme me SDR 18.760 milion (rreth 22.1 milion Euro apo 28.3 milion dollar amerikan) do të jenë në dispozicion menjëherë, përderisa pagesat pasuese do t’i nënshtrohen shqyrtimeve tremujore. Pas miratimit te marrëveshjes nga Bordi ekzekutiv i FMN-së Ministri i Ekonomisë dhe Financave , Ahmet Shala, vlerëson se: “ Ky program është programi i parë i Republikës së Kosovës me ndonjë Institucion Financiar Ndërkombëtar, kjo është një arritje shumë e madhe për Kosovën dhe njëherit pjesë e përpjekjeve të sforcuara të institucioneve tona për të siguruar përkrahje financiare nga mekanizmat e fuqishëm ndërkombëtar. Programi me FMN-në është për një periudhë kohore prej 1 vit e gjysmë (18 muaj) ku Kosova do të përfitoj shumën rreth 110 mil Euro, dhe për këtë unë jam më se i bindur se vendosja e një bashkëpunimi të qëndrueshëm dhe të besueshëm me FMN-në në kuadër të këtij programi është në interes të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës në perspektivën afatshkurtër e në veçanti në atë afatgjate” u shpreh ministri Shala. Ndersa z. Murilo Portugal, Zëvendës Drejtor Menaxhues dhe ushtrues i detyrës së kryesuesit, deklaroi se: “Angazhimi i autoriteteve për një program gjithëpërfshirës të politikave që ka për qëllim të vendos bazën për qëndrueshmëri fiskale dhe për ruajtjen e stabilitetit në sektorin financiar është, pra, më se i mirëpritur. “Ky program mëton të rris të ardhurat dhe të frenojë shpenzimet aktuale në mënyrë që të kufizojë ndikimin e shpenzimeve të mëdha kapitale në deficitin fiskal dhe në bilancet bankare të qeverisë. Për këtë qëllim, Kuvendi së fundmi ka rishikuar buxhetin për vitin 2010 dhe ka rritur normat e akcizës. “Autoritetet janë të angazhuara për të përmirësuar administratën tatimore, duke u përmbajtur nga iniciativat e shpenzimeve pa mbulesë dhe për të siguruar besueshmërinë e procesit të buxhetit duke rishikuar buxhetet e ardhshme vetëm në një mënyrë që është neutrale ndaj deficitit. Zbatimi i disiplinuar i këtyre politikave do të ndihmojë në sigurimin e financave të shëndosha publike në periudhën afatmesme. “Një objektiv i rëndësishëm i programit të mbështetur nga Fondi, është mbështetja e bilanceve bankare qeveritare në një shkallë të matur në mënyrë që të sigurojë një rezervë fiskale adekuate dhe fonde për ndihmë emergjente të likuiditetit për sistemin bankar, nëse kjo është e domosdoshme. Privatizimit në kohë i PTK-së, operatorit të postës dhe telekomunikacionit, do të ndihmojë në rimbushjen e bilanceve bankare dhe për të siguruar se financimi i deficitit nuk do të mbështetet në huamarrjen afatshkurtër komerciale. “Për të adresuar kuazi rreziqet fiskale në mënyrë efektive, autoritetet synojnë që të hartojnë një strategji për të përmirësuar financat e sektorit të energjisë në mënyrë që të përmbyllin gradualisht nevojën për transferet e vazhdueshme buxhetore. Për tu mbrojtur më tej nga detyrimet e mundshme fiskale, autoritetet pranojnë rëndësinë e ruajtjes së përgjegjësive të lëna në mirëbesim të fondit pensional dhe shmangien e ekspozimit të panevojshëm të këtij fondi tek një huamarrës i vetëm. “Sistemi financiar i Kosovës e ka përballuar krizën globale financiare relativisht mirë, dhe do të forcohet më tej nga përmirësimi i gatishmërisë për krizë. Në këtë kontekst, ligji i rishikuar për Bankën qendrore parasheh zgjerimin e asistencës emergjente për likuiditet, në rast se kjo është e domosdoshme, dhe autoritetet synojnë të hartojnë rregullore të cilat do të operacionalizojnë ofrimin asistencës së tillë, duke kufizuar rrezikun moral.” Kosova u bë anëtari i 186-të i FMN-së me 29 qershor të vitit 2009. Para kësaj, stafi i Fondit kishte ofruar ndihmë teknike dhe këshilla për politika Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ndërsa, që nga viti 2008, edhe Republikës së Kosovës. Objektivi kryesor i programit ekonomik të autoriteteve të Kosovës është rivendosja e qëndrueshmërisë fiskale dhe sigurimi i stabilitetit financiar duke: ushtruar përmbajtje në shpenzimet aktuale dhe rritjen e të ardhurave për të kontrolluar ndikimin e programit të madh të tyre për investime kapitale në deficitin e përgjithshëm fiskal, siguruar financim të konsiderueshëm buxhetor nga privatizimi për të ruajtur qëndrueshmërinë e borxhit, ndjekur reformat për të zgjeruar bazën tatimore dhe përforcuar menaxhimin e financave publike, rritur bilancet bankare qeveritare tek Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), për të siguruar hapësirë për asistencën emergjente për likuiditet (AEL), nëse është e domosdoshme, ofruar BQK-sw një mandat për AEL, afirmuar pavarësinë e saj, si dhe forcuar mëtutje sistemin bankar dhe përmirësuar pozicionin financiar të sektorit të energjisë.
|
| Formularët | |
| Shpallje dhe Konkurse | |