Video


Komunikatë për Media

(Prishtinë – 14 korrik  2010)

U mbajt takimi i Mekanizimit Përcjellës të Mbikëqyrjes Fiskale ndërmjet  Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave dhe Komisionit Evropian (DG – ECFIN)

MEF-i raporton para Komisionit Evropian

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala priti sot delegacionin e Komisionit Evropian të kryesuar nga , znj Carole Garnier, Shefe e Njësisë për ekonomitë e vendeve kandidate dhe  vendeve kandidate potenciale - DG ECFIN, ku u mbajt takimi i radhës  i Mekanizimit  të Mbikëqyrjes Fiskale  ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave dhe Komisionit Evropian (DG- EFCIN).

Në këtë takim, Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala së bashku me bashkëpunëtorët e tij raportuan  para  delegacionit të  Komisionit Evropian mbi zhvillimet e fundit ekonomike si dhe projeksionet afatmesme.

Më specifikisht, raportimi u bazua në prezantimin e zhvillimeve të fundit makro-fiskale  duke u fokusuar në ekzekutimin e buxhetit të vitit 2010 dhe planifikimin për vitin 2011, procesin e harmonizimit të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve me marrëveshjen e arritur me Fondin Monetar Ndërkombëtar, si dhe rrjedhën e procesit të privatizimit të ndërmarrjeve publike.

Për më tutje para Komisionit Evropian, përfaqësuesit nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave raportuan mbi përmbushjen e veprimeve paraprake të përcaktuara në marrëveshjen e arritur me Fondin  Monetar Ndërkombëtar. Njëkohësisht gjatë këtij takimi u konstatua që të gjitha kushtet e përcaktuara nga Komisioni Evropian për disbursimin e pjesës së parë të mbështetjes direkte buxhetore nga ky institucion tashmë janë përmbushur. Aprovimi formal i shpërndarjes së këtyre fondeve nga ana e Komisionit Evropian pritet të ndodhë pas aprovimit formal të Programit me FMN nga ana e  Bordit të  këtij institucioni, gjatë muajit korrik të këtij viti.

Në këtë takim morën pjesë edhe përfaqësuesi rezident  i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Edgardo Ruggiero dhe  përfaqësuesi i ICO-së, Andrea Capussela.