Video


Komunikatë për Media

(Prishtinë – 29 qershor  2010)

U mbajt takimi i Komitetit Ndërministror për Privatizimin e Kompanisë së Distribuimit dhe Furnizimit me Energji

Qeveria e Kosovës është e përkushtuar  që ky proces të jetë transparent

mef-29-06-2010

Komiteti Ndërministror për Privatizimin e Kompanisë së Distribuimit dhe Furnizimit me Energji (KEDS), mbajti sot takimin e radhës, i cili u kryesua nga Ministri i Ekonomisë dhe Financave z. Ahmet Shala.

Ministri Ahmet Shala në hapje të këtij takimi duke  falënderuar të gjithë të pranishmit për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe kontributin e tyre  në suksesin dhe transparencën e  procesit të privatizimit të KEDS-it, ka thënë se privatizimi i këtij distribucioni është shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendi.

”E kaluara e dhimbshme ka sjellë që kjo kompani të mbetet barrë e buxhetit të Kosovës, mirëpo ne si Qeveri e Republikës së Kosovës jemi të interesuar që së bashku me ju , sa më shpejtë që është e mundur ta vejmë këtë kompani në këmbë të shëndosha , në mënyrë që të bëjë furnizim të rregullt me energji elektrike  për të gjithë qytetarët, , biznesin dhe gjithashtu  si kompani të ketë vetqëndrueshmëri financiare”, tha Ministri Shala.

Ndërsa, përfaqësuesi i këshilltarit të Transaksionit z. Bernard Atlan, njoftoi të pranishmit për rrjedhën e procesit të transaksionit, duke i informuar ata mbi lëshimin e shprehjes së interesit.

“IFC mendon se është e nevojshme që tani të fillohen diskutimet me investitorë potencial në mënyrë që të adresohen çështjet kryesore. Dhe në bazë të reagimeve nga investitorët ne do të jemi në gjendje të ecim përpara në mënyrë konstruktive me këtë proces“, theksoi z. Atlan.

Në këtë takim ishin të pranishëm edhe anëtarët e këtij komiteti: Ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapsinor, z. Mahir Yagcilar, Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, z. Lutfi Zharku dhe Ministrja e Energjisë dhe Minierave, znj. Justina Shiroka – Pula, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiç dhe gjithashtu  në këtë takim pjesëmarrës ishin edhe Ambasadorët e Shteteve të Kuintit, përfaqësues të Bankës Botërore, përfaqësues të Komisionit Evropian, Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, KEK-ut si dhe ekspert vendor e ndërkombëtar të sektorit të energjisë si dhe Këshilltarët e Transaksionit – IFC.