| Komunikatë për Media |
|
(Prishtinë – 15 qershor 2010) Nënshkruhet Memorandumi për bartjen e kompetencave të Qendrës së Inteligjencës Financiare nga EULEX-i në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave
Kryeministri i Republikës së Kosovës z.Hashim Thaqi, ministri i Ekonomisë dhe Financave z.Ahmet Shala dhe udhëheqësi i Misionit të EULEX-it z.Yves de Kermabon, sot nënshkrimin e Memorandumin për bartjen e kompetencave të Qendrës së Inteligjencës Financiare nga EULEX-i në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave. Kryeministri i Kosovës z.Hashim Thaçi, pasi u uroi nënshkrimin e këtij Memorandumi z. Kermabon dhe ministrit Shala pohoi se ky nënshkrim tregon për gatishmërinë dhe zotimin e institucioneve të vendit, në luftimin e të gjitha dukurive që kanë të bëjnë me shpëlarjen e parave dhe financimin e terrorizmit. “Ky është vetëm fillimi i këtij procesi. Ne do të punojmë për parandalimin e këtyre veprave, falë kompetencave ligjore të cilat i kemi, kompetenca këto të cilat presin aprovimin në parlament”, pohoi z.Thaçi. Me bartjen e autoritetit nga Qendra e Inteligjencës Financiare të Eulex-it në Njësinë e Inteligjencës Financiare të Kosovës, do të ketë një koordinim më të mirë të institucioneve të cilat janë të obliguara të raportojnë.
Bartja e autoriteteve, sipas Kryeministrit dëshmon se shteti ynë dhe Qeveria e Kosovës janë të gatshëm t’i marrin dhe t’i udhëheqin me sukses, të gjitha segmentet e një shteti modern, me përkushtimin për rend dhe sundim të ligjit.
Ndërsa, ministri z.Ahmet Shala në fjalën e tij tha:” Transferimi i Qendrës së Inteligjencës Financiare nga EULEX-it në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave ka ardhur pas një pune dhe ndihme të madhe nga të gjithë miqtë ndërkombëtarë, duke theksuar këtu ndihmën e veçantë të Këshillit Evropian në Prishtinë”.
Ministri Shala ndër të tjera shtoi “ Ministria e Ekonomisë dhe Financave sot po kompletohet edhe me Njësinë e Inteligjencës Financiare dhe kjo sa i përket rregullsisë financiare në Kosovë, do të thotë shumë për shtetin. Bartja e këtij njësiti në MEF do të na ndihmojë që të kemi më shumë mundësi për të parë mënyrën e qarkullimit të pagesave, gjithashtu kjo njësi do të merret edhe me grumbullimin e të dhënave dhe në rast dyshimi për këto të dhëna do të bëhet procedimi i tyre në organet kompetente”, tha ministri Shala.
Ndërsa, shefi i EULEX-it z. Kermabon pohoi se ata janë duke i ndihmuar institucionet e Kosovës dhe janë duke punuar së bashku në partneritet në fusha të ndryshme. Kjo sipas tij është një ndër fushat shumë të rëndësishme dhe është koha që hap- pas - hapi të barten këto kompetenca ekzekutive nga EULEX-i tek Institucionet e Kosovës. Ai po ashtu tha se sot, në këtë çështje të ndjeshme dhe të vështirë, që ka të bëjë me financa po bëhet hapi i parë i rëndësishëm dhe simbolik në këtë proces. “Kemi punuar së bashku me ministrin Shala dhe ekipin tim. Kjo Njësi së pari ishte UNMIK pastaj EULEX, dhe tani kemi filluar procesin që të sjellim vendimin në Kuvendin e Kosovës, dhe për këtë proces presim që hapin final ta arrijmë në fund të këtij viti”, tha Kermabon.
|
| Formularët | |
| Shpallje dhe Konkurse | |