Video


Komunikatë për Media

(Prishtinë – 22 janar 2010)

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Austrisë nënshkruan marrëveshje për Promovimin dhe Mbrojtjen e Investimeve

mef-22-01-2010

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala së bashku me Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku, sot pritën një delegacion nga Republika e Austrisë, të kryesuar nga Sekretari i shtetit austriak, z. Reinhold LOPATKA.

Me këtë rast, Ministri, Ahmet Shala, Ministri ,Lutfi Zharku dhe z. Lopatka, nënshkruan marrëveshjen për Promovimin dhe Mbrojtjen e Investimeve ndërmjet Qeverisë së Republikës së Austrisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Kjo është marrëveshja e parë e kësaj fushe e nënshkruar, pas shpalljes se pavarësisë së Kosovë, e cila ofron siguri më të madhe për investuesit e të dyja vendeve .

Provisionet kryesore të kësaj marrëveshje mbulojnë fushat si: promovimin e investimeve të përbashkëta si dhe trajtimin e tyre nga vendi i cili i absorbon këto investime, transferi i kapitalit dhe i të ardhurave nga investimet, Kompensimi në rast të shpronësimit ,transparenca dypalëshe,trajtimi i barabartë,procedurat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dypalëshe dhe arbitrimi.

Pas ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes ,Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, duke falënderuar z. Lopatka për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit dhe popullit austriak , pohoi se  e gjithë kjo tregon dëshirën që ka shteti austriak të shoh një progres në Kosovë.

“ Kjo marrëveshje me shtetin mik të Kosovës është në momentin dhe kohën e duhur, sepse tani jemi në fazën intensive të projekteve të mëdha, që të ndërrojmë pasqyrën ekonomike të Kosovës”, ka pohuar Shala.

Sipas tij investitorët austriak, kanë qenë të mirëseardhur dhe të mbrojtur edhe pa këtë marrëveshje, mirëpo kjo simbolizon mënyrën e mbrojtjes së investitorëve austriak dhe atyre kosovar. Ai po ashtu ftoi kompanitë austriake, që të shfrytëzojnë mundësitë dhe ndikimet e volitshme për të investuar në Kosovë.

Ndërsa Sekretari i shtetit austriak,z. Reinhold Lopatka e vlerësoi si shumë të rëndësishme marrëveshjen, siç tha, për të pasur "një bazë legale dhe sistem mbrojtës për kompanitë tona, për ndërmarrësit tanë, të cilët dëshirojnë të investojnë këtu".

“ Jam i kënaqur që tashmë kemi një marrëveshje që i mbron investimet tona edhe ligjërisht. Ky është një sinjal për investitorët e tjerë austriakë,  që të vijnë të investojnë në Kosovë. Austria do të bëjë gjithçka për forcuar bashkëpunimin ekonomik me Kosovën”, ka pohuar ai.

Në fund të kësaj vizite, Ministri Shala e falënderoi edhe njëherë Sekretarin e shtetit austriak për mbështetjen e vazhdueshme dhe sinqerisht shpresoj se ky bashkëpunim i frytshëm në suaza të një partneriteti të plotë do të vazhdoj edhe në të ardhmen.

mef-22-01-2010-1